Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku mbetën të plagosur me armë zjarri 3 persona.
Objektiv i sulmit dyshohet se kanë qenë Armando Tomorrica dhe Renaldo Mance, ndërsa i plagosur aksidentalisht ka mbetur edhe Biorgi Hoxha, 19 vjeç, kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se autori i dyshuar kishte pasur më herët një konflikt me Tomorricën dhe Mancen, çka dyshohet të ketë qenë edhe motivi që e shtyu të ndërmerrte sulmin me armë zjarri.
Sipas dinamikës së deritanishme, Tomorrica dhe Mance ndodheshin të ulur në një tavolinë në verandën e lokalit, në shoqërinë e kamarierit Biorgi Hoxha.
Në një moment, autori është afruar drejt tyre dhe, sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendngjarje, fillimisht i ka ofenduar verbalisht.
Menjëherë më pas ai ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre, duke lënë të plagosur të tre personat.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të ndihmuar në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
Tre të plagosurit morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Pasi morën trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe rezultuan jashtë rrezikut për jetën, ata kanë lënë ambientet e spitalit dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar i plagosjes nuk është arrestuar ende. Policia e Elbasanit vijon kontrollet dhe hetimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po dokumentohen të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje.




