Pezullohen përkohësisht fluturimet në hapësirën ajrore të Shqipërisë

TIRANË – 28 GUSHT 2026, 18:54 – Trafiku ajror në hapësirën ajrore shqiptare është pezulluar përkohësisht pas një problemi teknik të dyshuar në sistemin e radarëve të Albcontrol.

Problemi ka shkaktuar ndërprerje në monitorimin e trafikut ajror, duke bërë që për disa minuta të pezullohen ngritjet dhe uljet e avionëve, si masë sigurie.

Dy fluturime që pritej të uleshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës rreth orës 18:45 janë devijuar për shkak të situatës së krijuar.

Ndërprerja e përkohshme e sistemit mund të sjellë vonesa në nisjet dhe mbërritjet në aeroport, si dhe pritje për avionët që ndodhen në fluturim. Në varësi të kohës që do të zgjasë problemi, mund të ketë edhe shtyrje të orareve apo devijime të tjera të përkohshme.

Pezullimi është ndërmarrë për arsye sigurie, pasi funksionimi i sistemeve të monitorimit të trafikut ajror është thelbësor për navigimin dhe garantimin e distancimit të sigurt të avionëve.

Burime bëjnë me dije se po punohet për normalizimin e sistemit dhe rikthimin e trafikut ajror në normalitet.

Pas rikthimit të plotë të sistemeve, trafiku ajror pritet të rifillojë gradualisht, ndërsa situata në aeroportin e Rinasit pritet të normalizohet.