Kurbin – Një aksident i rëndë rrugor i regjistruar mesditën e së martës në aksin Laç–Patok ka rezultuar me humbjen e jetës së një 37-vjeçari nga Kurbini.
Sipas Policisë, rreth orës 13:00, automjeti i drejtuar nga shtetasja A. S., 33 vjeçe, banuese në fshatin Grëz të Fushë-Kuqes, është përplasur me një ciklomotor që drejtohej nga shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i ciklomotorit ka pësuar plagë të rënda dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 37-vjeçari ndërroi jetë rreth orës 18:40.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë drejtuesen e automjetit, e cila akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.




