Ka nisur prej tre ditësh Pelegrinazhi i Shenjtë në Malin e Tomorrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore të komunitetit bektashian në Shqipëri.
Mijëra besimtarë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të ndryshme të botës i janë drejtuar malit të shenjtë për të nderuar Abaz Aliun dhe për t’u lutur për paqe, shëndet, mirësi dhe begati.
Pelegrinazhi do të vijojë deri më 25 gusht, ndërsa Mali i Tomorrit është kthyer në një qendër të rëndësishme lutjesh dhe pelegrinazhi. Çdo vit, kjo festë tërheq një numër gjithnjë e më të madh besimtarësh dhe vizitorësh.
Një nga traditat më të veçanta është qëndrimi në natyrë dhe fjetja në çadra në lartësitë e malit. Shumë pelegrinë zgjedhin të kalojnë të paktën një natë nën qiellin e hapur, si pjesë e traditës dhe për të marrë bekimin e vendit të shenjtë.
Ritualet kryesore zhvillohen pranë Teqesë së Kulmakut dhe në Çukën e Abaz Aliut. Besimtarët kryejnë ritet tradicionale, përfshirë therjen e qengjit të kurbanit dhe ndezjen e qirinjve.
Zjarri në Pukë drejt përmirësimit, shpëtohen 2 banesa të banuara, 3 të tjera digjen
Gjatë këtyre ditëve, në Teqenë e Kulmakut dhe në Majën e Abaz Aliut janë ngritur shumë çadra, ku pelegrinët qëndrojnë gjatë gjithë periudhës së festës.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, ka folur për masat e marra për mbarëvajtjen e pelegrinazhit dhe kushtet e krijuara për besimtarët. Ai ka përcjellë gjithashtu një mesazh për të gjithë pelegrinët që marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme fetare.
“Ne si besimtarë , respektojmë njeriun që është qënia më e përkyer e kësaj bote. Ne mundohemi t’i krijojmë të gjitha kushtet që ka një Pelegrinazh. Kemi marrë masa për rrugën, për ujin, për bukën, mundohemi që të gjithë njerëzit të presim sa më mirë në këtë pelegrinazh. Mesazhi kryesor është paqja dashuria, mirësia e puna që na largon nga të gjitha të këqijat”, ka thënë Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi.
Për shkak të fluksit të madh të vizitorëve, edhe Policia e Shtetit ka marrë masa të veçanta për menaxhimin e trafikut në akset Berat–Poliçan–Kulmak dhe Çorovodë–Kulmak.
Në terren janë dislokuar gjithashtu grupe të ndihmës së shpejtë dhe strukturat e emergjencave civile, me qëllim përballimin e çdo situate dhe garantimin e sigurisë së pelegrinëve gjatë ditëve të festës.




