Pas vitesh pa terrene sportive dhe kërkesave të vazhdueshme, përfundon investimi në Prrenjas

Pas kërkesave të vazhdueshme të banorëve për rikthimin e hapësirave sportive në qytet dhe ngritjes së shqetësimit publik nga Elbasani.on mbi mungesën e infrastrukturës për futbollin, në Prrenjas kanë përfunduar dy fusha të reja sportive.

Investimi është realizuar në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë së Prrenjasit, në kuadër të projekteve për zhvillimin e infrastrukturës sportive.

Një prej fushave është pajisur me tapet artificial, ndërsa mini-fusha është bërë funksionale për aktivitete sportive dhe stërvitore.

Më herët, ish-futbollisti i ekipit Domosdova, Altin Lleshi, kishte ngritur shqetësimin për mungesën prej vitesh të një fushe sportive dhe të një ekipi futbolli në qytet, ndërsa fëmijët detyroheshin të luanin në rrugë dhe trotuare.

Prrenjasi kishte mbetur për afro një dekadë pa ekip përfaqësues dhe pa terrene sportive funksionale, ndërsa vendi i fushës së dikurshme ishte zëvendësuar nga projekte të tjera urbane.

Me përfundimin e dy fushave të reja sportive, qyteti tashmë do të ketë hapësira të dedikuara për zhvillimin e aktiviteteve sportive për fëmijët dhe të rinjtë.