Pa praninë e opozitës, miratohet në Kuvend qeveria “Kurti 4”: Kush janë ministrat e rinj

Pa praninë e partive të mëdha opozitare, është miratuar me votat e shumicës së parlamentit qeveria e re, e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti.

Me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar qeverinë Kurti 4.

Në sallën plenare ishin të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës Serbe.

Ndërkohë, në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët e PDK-së, pasi kjo parti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit dhe se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Njëherësh, nuk ishin deputetët nga LDK-ja dhe nga Aleanca.

Albin Kurti prezanton programin qeverisës në Kuvend

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një fjalim në parlament, përpara se të shkohet në votim për votëbesimin e qeverisë. Ai fillimisht e hapi fjalën me gjyqin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Kurti u shpreh se gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar për lirinë e vendit.

“Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje të vërtetës historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare. Qëndrimi i qeverisë që drejtoi unë është i njëjtë dhe i qartë.

Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviçin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.

Më tej, renditi disa nga arritjet e Kosovës nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti nënvizoi se VV-ja qeveris për shumicën e popullsisë dhe jo për pakicën. Sipas tij, në kohën që ka qeverisur Vetëvendosje, ka pasur rritje ekonomike dhe se është bërë më shumë për familjet e Kosovës. “Do kemi shtesa për fëmijët, si dhe për nënat e reja”, tha ai.

Më tej, theksoi se paga mesatare në sektorin privat do të jetë 1000 euro. Kurti premtoi se do të profilizohen universitetet. “Do të profilizojmë universitetet’, u shpreh Kurti. Gjithashtu, u shpreh se shumë shërbime mjekësore do të jenë falas.

Sipas tij, qeveria e re do të sjellë ndryshime në infrastrukturë, sikundër edhe në arsim. Deklaroi se do të mbështeten fermerët, do të rregulohet tregu, do të rritet prodhimi, si dhe do mbështetet bujqësia. Kurti nënvizoi se do të rritet siguria e mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.

Kabineti qeveritar:

Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrjes: Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri