Operacioni “Fokusi” në Lushnjë: Arrestohen babë e bir, sekuestrohen armë zjarri, kokainë dhe automjet

LUSHNJË — Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar policor të quajtur “Fokusi”, duke vënë në pranga dy shtetas, konkretisht një 56-vjeçar dhe djalin e tij 24-vjeçar, pasi gjatë kontrollit iu kapën armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në kuadër të kontrolleve të shtuara për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, kanë ndaluar në qytet automjetin që drejtohej nga 24-vjeçari me iniciale H. H. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe kontrollit të ushtruar në banesën e tyre në fshatin Hajdaraj, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me municion luftarak, të cilat dyshohet se mbaheshin pa leje nga 56-vjeçari Sh. H.

Në përfundim të veprimeve paraprake, babë e bir u arrestuan në flagrancë, ndërsa automjeti, lënda narkotike dhe armët u dërguan për ekzaminime të mëtejshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore.