Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, drejtuesi i automjetit Nikoll Rradaçi është marrë në pyetje nga policia.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, 57-vjeçari është paraqitur në gjendje të rënduar dhe dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes.
Ai ka thënë se nuk mban mend çfarë ka ndodhur dhe është shprehur i tronditur për pasojat.
Gjithashtu, ai ka thënë se ndihet i shkatërruar nga ajo që ka ndodhur, duke pranuar gjendjen e tij të rënduar emocionale.
Banorët e zonës thonë se drejtuesi i mjetit ka qenë problematik prej kohësh dhe se për të janë bërë disa ankesa në polici për drejtim të rrezikshëm dhe në gjendje të dehur.
Sipas tyre, vetëm një ditë para aksidentit është shmangur një tjetër incident i ngjashëm.
Mësohet se ai ka pasur më herët masa ndëshkimore, përfshirë edhe heqje të lejes së drejtimit në dy raste për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Ngjarja po hetohet, ndërsa konsiderohet një aksident që sipas dëshmive të banorëve mund të ishte parandaluar.












