Në ditën e 86 të protestës, qytetarët kanë përsëritur kërkesat e tyre, duke deklaruar se nuk janë lodhur dhe se do të vijojnë qëndrimin e tyre deri në realizimin e tyre.
Në një deklaratë gjatë protestës, ata theksuan se kërkesat nuk kanë ndryshuar dhe se protesta, sipas tyre, nuk lidhet me interesa personale, por me kërkesën që zëri i qytetarëve të dëgjohet.
“86 ditë kanë kaluar, por kërkesat tona nuk kanë ndryshuar. Nuk jemi këtu për interesa personale, por besojmë se shqiptarët duhet të dëgjohen. Kërkesat tona janë të qarta dhe të panegociueshme”, u shprehën protestuesit.
Ata kanë renditur gjashtë kërkesa kryesore:
1- Dorëheqja e Edi Ramës dhe qeverisë.
2- Krijimi i një qeverie teknike, jo partiake, për 12 muaj.
3- Ndryshime kushtetuese, me synimin që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit.
4- Shfuqizimi i Paketës së Maleve.
5- Shfuqizimi i ligjit për Investitorët Strategjikë.
6- Hartimi i një kontrate sociale pas konsultimeve publike.
Protestuesit deklaruan se do të vijojnë të qëndrojnë në protestë nëse qeveria nuk reflekton ndaj kërkesave të tyre.
“Nëse qeveria zgjedh të mos reflektojë, ne do të vijojmë të protestojmë. Mbetemi të vendosur në protestë deri në realizimin e kërkesave. Nuk jemi lodhur, por jemi bindur se do të qëndrojmë edhe më shumë”, thanë ata.




