Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Poli Boriçin, 52 vjeç, i arrestuar pas ngjarjes së ndodhur fundjavën e kaluar në një lokal në Elbasan, ku dyshohet se ka kanosur me armë zjarri 52-vjeçarin Ermir Kërtezi.
Seanca gjyqësore u zhvillua pa praninë e medias. Sipas burimeve, Prokuroria ka ngritur ndaj Boriçit akuzat për “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Para hetuesve, 52-vjeçari ka mohuar se ka pasur qëllim të vriste Kërtezin. Në dëshminë e tij, ai ka pretenduar se e ka marrë armën për ta frikësuar, pasi, sipas tij, ndihej i kërcënuar.
“Nuk doja ta vrisja. Po të doja, e kisha vrarë, por doja ta frikësoja, pasi ai po më kërcënonte”, mësohet të ketë deklaruar Boriçi para hetuesve.
Ngjarja ndodhi në verandën e një lokali, ku Kërtezi dyshohet se u vu në shënjestër të Boriçit. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë çoi në arrestimin e 52-vjeçarit. Nga incidenti nuk pati persona të plagosur, ndërsa dyshohet se arma nuk është përdorur për shkak të bllokimit të saj.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se pas ngjarjes mund të qëndrojë një konflikt i hershëm mes dy familjeve. Boriçi ka deklaruar më herët se motivi lidhet me vëllain e tij, për të cilin pretendon se Kërtezi e kishte plagosur rreth 15 vite më parë, duke i shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore.
Nga ana tjetër, Kërtezi ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy familjeve ishin normalizuar prej vitesh dhe se gjatë kësaj periudhe nuk kishte pasur konflikte mes tyre.
Me caktimin e masës “arrest me burg”, Boriçi do të qëndrojë në paraburgim në pritje të vijimit të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Prokuroria vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, motivin dhe përgjegjësinë penale të 52-vjeçarit.




