Nga zëri te kërkesat konkrete: të rinjtë në dialog me Bashkinë Elbasan

Screenshot

“My Voice, My Policy” u ndal këtë herë në Elbasan, duke sjellë të rinj aktivë në një takim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të Bashkisë Elbasan. Takimi krijoi një hapësirë dialogu ku të rinjtë patën mundësinë të shprehin nevojat e tyre, të prezantojnë ide dhe të adresojnë kërkesa konkrete për zhvillimin e komunitetit.

Të rinjtë u pritën nga drejtorja e Drejtorisë së Përgjithshme të Kujdesit Social, Arsimit dhe Rinisë, Dorina Rroseni, dhe koordinatori i rinisë pranë Bashkisë Elbasan, Sokrat Ndria. Në fokus të diskutimit ishin çështje që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe të ardhmen e të rinjve, veçanërisht nevoja për më shumë investime në arsim, art dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e tyre.

Gjatë bashkëbisedimit, të rinjtë ngritën problematika dhe propozuan ide që lidhen me përmirësimin e mjediseve arsimore, mbështetjen e aktiviteteve artistike dhe kulturore, si dhe krijimin e më shumë hapësirave dhe mundësive ku ata mund të zhvillojnë aftësitë, talentet dhe iniciativat e tyre.

Dialogu me përfaqësuesit e Bashkisë shërbeu edhe për të kuptuar më mirë se si mund të adresohen këto kërkesa në nivel vendor dhe cilat janë mekanizmat përmes të cilëve të rinjtë mund të bëhen pjesë më aktive e proceseve të vendimmarrjes.

Përmes “My Voice, My Policy”, të rinjtë synojnë të kalojnë nga shprehja e nevojave te advokimi për zgjidhje konkrete. Pjesëmarrja e tyre nuk lidhet vetëm me të pasurit një zë, por me aftësinë për ta përdorur atë zë për të ndikuar në politikat dhe prioritetet që prekin drejtpërdrejt komunitetin.

Takimi në Elbasan ishte një tjetër hap në këtë drejtim: një mundësi që të rinjtë të ulen përballë institucioneve, të artikulojnë kërkesat e tyre dhe të ndërtojnë një dialog që synon të sjellë më shumë mundësi dhe hapësira për brezin e ri.