“Ne zgjodhëm t’ju freskojmë me ujë. Ju zgjidhni të mos ndizni zjarr!”, Shërbimi Zjarrfikës i Gramshit aktivitet në qendër të qytetit

Me moton “Ne zgjodhëm t’ju freskojmë me ujë. Ju zgjidhni të mos ndizni zjarr!”, Shërbimi Zjarrfikës i Gramshit zhvilloi një aktivitet ndërgjegjësues, duke përcjellë një mesazh të qartë për mbrojtjen e pyjeve dhe parandalimin e zjarreve.

Aktiviteti, i shoqëruar nga buzëqeshjet dhe entuziazmi i fëmijëve, synoi të sensibilizojë qytetarët për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, duke theksuar se mbrojtja e pyjeve është një përgjegjësi e përbashkët.

Nisma u realizua falë bashkëpunimit mes Bashkisë Gramsh, vullnetarëve holandezë, Qendrës Kulturore të Fëmijëve Gramsh, Komisariatit të Policisë së Shtetit Gramsh, Policisë Bashkiake Gramsh dhe Qendrës Spitalore Gramsh.

Në përfundim të aktivitetit, organizatorët përcollën një apel për të gjithë qytetarët: “Një pikë ujë sjell buzëqeshje, ndërsa një shkëndijë zjarri mund të shkatërrojë mijëra hektarë pyje. Mos ndizni zjarr! Mbroni pyjet, mbroni jetën.”