Projektligji për mbrojtjen e tokës bujqësore parashikon që në fermat agrifotovoltaike, krahas prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, të lejohet edhe instalimi i baterive për depozitimin e saj. Propozimi hasi në kritika nga opozita por edhe mazhorancës, të cilët ngritën shqetësime se lejimi i ndërtimeve do të dëmtojë cilësinë e tokës bujqësore.
Në tokat bujqësore jo vetëm do të prodhohet energji prej diellit apo erës por edhe do të lejohet të instalohen bateri për depozitimin e saj. Në komisionin e Ligjeve, teksa prezanton projektligjin për Mbrojtjen e tokës Bujqësore” zëvendësministri Fatmir Guri tha se në fermat “Agrifotovoltaike”, do të ketë edhe depozitim energjie me argumentin se do të rritet prodhimi bujqësor e blegtoral, dhe se kushtet për licencimin e këtyre fermave do të caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Flasim për ferma të cilat kanë një përdorim të përbashkët që është bujqësor dhe ai i përftimit të energjisë, në të cilat 60% e sipërfaqes është për aktivitete bujqësore dhe 40% e sipërfaqes është për aktivitete të përthithjes së energjisë. Depozitimi ka të bëjë pikërisht me përdorimin e një sipërfaqe relativisht shumë të kufizuar për vendosjen e vendit ku do të vendosen bateritë e asaj ferme agrofotovoltaike. Ajo që ne kemi shtuar këtu është, fakti që përveç vendosjes së paneleve, kemi vendosur edhe që një pjesë shumë e kufizuar e tokës të përdoret për vendosjen e baterisë për depozitimin e kësaj energjie. Licenca e përdorimit ose certifikimi i një ferme të tillë është nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës”, thotë Guri.
Këto ndryshime u shoqëruan me kritika jo vetëm nga radhët e opozitës por edhe të mazhorancës, pasi për të instaluar bateritë e depozitimit, sidomos për ato të erës do të duhet të ndërtohet në tokat bujqësore.
“Të vësh një kullë për Wind Farm dhe sot minimumi i prodhimit është 6 mega, do të thotë është 100 metër e lartë dhe nuk ka shans mos kesh një bazament të madh betoni aty. Se prodhohet ndryshe, nuk ka mundësi. Do të thotë që bëhet fjalë për kulla masive të eolikëve. Për mua s’duhet të futet fare kjo eolikë këtu se flitet për agrofotovoltaik, pastaj futet dhe eolikja. Ngatërrohen me termat dhe mendojnë se janë të gjitha njësoj”, thotë Damian Gjiknuri.
“Një depozitë ujë 5000 litër të vendosësh, duhet do të bësh platformë betoni, jo më të vesh bateri të cilat mund të jenë sa një kontejner që t’i shërbejnë këtyre fermave fotovoltaike, që do të thotë ai investim që do bëhet atje do ta prishë atë strukturë toke aty”, thotë Oerd Bylykbashi.
Për këto arsye Gjiknuri bashkë me opozitën votoi kundër ligjit në parim dhe abstenoi në shqyrtimet nen për nen, madje nuk munguan as debatet me kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja që nuk i jep fjalën për pyetje, që bëri që Gjiknuri të largohet nga komisioni.
Manja: Na e lini turpin ne e gjetët lepurin në ferrë ju të tre sot (Gjiknuri, Bylykbashi dhe Strazimiri) kush është dakord me projektligjin…?
Gjiknuri: Më lër të jap shpjegimin.
Manja: Jo, jo qëndro tek abstenimi ti.
Gjiknuri: Do ma japësh fjalën apo të iki fare?
Manja: Po ik more…
Gjiknuri: Muhabet leshi
Manja: Merru me Oerdin




