Ndërtuan pa leje në Karaburun, vihet në pranga njëri prej ndërtuesve. Shpallet në kërkim ortaku i tij

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita së bashku me Kryeinspektorin e IKMT-së, Afrim Qendro pasditen e kësaj të mërkurë morën pjesë në operacionin për prishjen e një ndërtimi pa leje, “beach bar”, në zonën e Karaburunit.

Mësohet se objekti prej druri po ndërtohej nga personat e indentifikuar me inicialet O. Sh. dhe S. D., të cilët ishin proceduar penalisht më parë dhe kishin tejkaluar afatin kohor për prishje vullnetare.

Gjatë operacionit u vu në pranga njëri prej ndërtuesve, S. D.. Më tej në njfotim bëhet me dije se ortaku i tij, O. Sh., u shpall në kërkim. Autoritetet po vijojnë punën për kapjen e tij.

Drejtori i Përgjithshëm Hita dhe Kryeinspektori Qendro, gjatë një prononcimi, përcollën mesazhin për të gjithë qytetarët që të mos ndërmarrin iniciativa për të kryer ndërtime pa leje, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Ndërkohë, nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë përgjegjës, që kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin.