Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy procedura tenderuese për ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore pjesë e Korridorit 8 dhe që pritet të ndikojë direkt në uljen e trafikut. Fondi limit për dy tenderat është 60.5 milionë euro dhe afati për të marrë pjesë në garë është deri më 10 qershor 2026. Fituesi më pas do të ketë në dispozicion 2 vite për të përfunduar punimet në 4.2 kilometra rrugë.
“Ky segment rrugor, fillon në Bradashesh ku bashkohet me autostradën Tiranë-Elbasan dhe mbaron në afërsi të luginës së lumit Shkumbin. Zona është me reliev fushor”, thuhet në dokumente. Më tej detajohen me shifra ngarkesa e kësaj rruge e cila lidh jo vetëm juglindjen e Shqipërisë, por vijon përtej kufirit drejt vendeve të rajonit.
“Sipas të dhënave të fundit, fluksi mesatar ditor varion nga 25,000 në 30,000 automjete, që arrin deri në 35,000 automjete në ditë gjatë orëve të pikut”, thuhet në raport. Në dokumentet e tenderit thuhet se me nisjen e punimeve autoritetet duhet të marrin masa për të menaxhuar trafikun, duke krijuar rrugë alternative për automjetet dhe këmbësorët për të shmangur bllokimin e rrugëve kryesore. Në total i gjithë projekti për ndërtimin e Bypassit të Elbasanit pritet të kushtojë 240 milionë euro, shifër e caktuar edhe në programin e qeverisë të politikave prioritare.













