TIRANË — Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë dislokuar në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së sotme në kryeqytet, ku zhvillohet dita e 19-të e protestës së studentëve si dhe tubimi i dytë kombëtar i Partisë Demokratike.
Gatishmëria e policisë përfshin mjete speciale, autobotë me ujë me presion, si dhe trupa të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), repartit “Shqiponja”, efektivë të komisariateve dhe agjentë civilë. Përveç pranisë fizike, e gjithë zona përreth godinave qeveritare po monitorohet në kohë reale përmes kamerave me rezolucion të lartë dhe dronëve nga ajri, me qëllim identifikimin e çdo shkeljeje të mundshme ligjore.
Operacioni i sigurisë po zhvillohet nën zbatimin e aktit të ri normativ për tubimet, i cili i jep kompetenca shtesë Policisë së Shtetit dhe parashikon sanksione administrative nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë për shkelësit, përfshirë masat ndaj mosbindjes për shpërndarjen e protestës apo mbulimit të fytyrës nga protestuesit.



