Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Buzmadh, ku tre persona kanë mbetur të plagosur pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen Touran, ku ndodheshin drejtuesi, një grua dhe një i mitur, ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe është përplasur jashtë karrexhatës.
Të tre të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fier. Burime spitalore bëjnë me dije se gruaja dhe i mituri ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit është në gjendje të rëndë dhe po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit në segmentin rrugor ku ndodhi ngjarja.




