Në kuadër të edicionit të parë të “THU’JE – Platforma për Demokraci dhe Paqe”, që po zhvillohet në Elbasan, Lorena Haxhiymeri, Drejtoreshë e Performancës në Bashkinë Elbasan dhe koordinatore e platformës “THU’JE” për këtë institucion, moderoi një nga panelet e diskutimit, ku në fokus ishte transparenca, komunikimi virtual, dialogu dhe demokracia vendore.
Gjatë takimit u prezantua edhe asistenti virtual (chatbot) i faqes zyrtare të Bashkisë Elbasan, një instrument i mbështetur nga projekti “Bashki të Forta”, përmes projektit Helvetas. Ky instrument synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, në informacionin dhe shërbimet e institucionit, duke mundësuar një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe të aksesueshëm me Bashkinë.
Prezantimi u zhvillua në kuadër të diskutimit mbi rolin e teknologjisë në forcimin e transparencës dhe përmirësimin e marrëdhënies mes institucioneve dhe qytetarëve. Asistenti virtual përfaqëson një hap drejt modernizimit të komunikimit institucional dhe krijimit të formave të reja të ndërveprimit me komunitetin.
Platforma “THU’JE”, e zhvilluar nga 28 deri më 30 tetor nën moton “Shumë zëra, një qytet”, sjell në Elbasan përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, të rinj dhe partnerë ndërkombëtarë, duke krijuar hapësira për diskutim dhe shkëmbim përvojash mbi demokracinë, paqen dhe pjesëmarrjen qytetare.


