Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen “Vullnetari”, duke shkaktuar panik te personat që ndodheshin në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, nga të shtënat ka mbetur i plagosur kamarieri i lokalit. Ai është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorit ose autorëve dhe përcaktimin e motiveve.




