Korea e Jugut përmbys 2-1 Çekinë, evropianët rikthehen pas 20 vitesh në Botëror me humbje! Mbyllen ndeshjet e para në Grupin A

MEKSIKË, Guadalajara – Korea e Jugut mori një fitore të merituar 2-1 me përmbysje kundër Çekisë në Grupin A të Kupës së Botës 2026. Ndeshja e cila nisi në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm me kohën shqiptare, ishte e luftuar, me ritëm, raste, gola dhe përmbysje.

Që në nisje të takimit ekipi aziatik mori frenat e lojës duke pasur disa raste shumë të mirë, por pa konkretizuar. Çekia ‘u zgjua’ dhe filloi të qarkullonte topin, duke bërë që Son me shokë të mos ishin aq të rrezikshëm. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0.

Në fraksionin e dytë ekipi i Çekisë kaloi në epërsi në minutën e 59-të. Një rivënie anësore e hedhur me forcë në zonë nga Coufal, bëri që kapiteni Krejci të kërcente mbi të gjithë dhe me kokë të devijonte në portë, për t’i dhënë Çekisë epërsinë 0-1.

Korea e Jugut nuk u pajtua me këtë rezultat dhe pas tetë minutave vendosi ekuilibrin 1-1 me golin e Huang In-Beom. Ky i fundi lëvizi bukur dhe me trup nxori jashtë loje mbrojtësin dhe portierin rival, për ta lënë topin në rrjetë me një goditje plot finesë.

Çekia barazoi rezultatin me Soucek, por arbitri anësor e anuloi golin për pozicion jashtë loje, gjë që u konfirmua edhe nga VAR-i. Më pas, në minutën e 80-të, Oh-Hyeon-Gyu i Besiktasit shënoi golin e përmbysjes dhe të fitores 2-1 për Korenë e Jugut. Çekia, në rikthimin e saj pas 20 vitesh në një Kupë Bote sheh një humbje.

Korea e Jugut fiton për të tretin Botëror radhazi në fazën e grupeve kundër tre rivalëve nga Evropa. Ata mposhtnin Gjermaninë 2-0 në vitin 2018, Portugalinë 2-1 në vitin 2022 dhe sot Çekinë.

Kështu, Botërori 2026 ka luajtur dy ndeshjet e para, pasi në ndeshjen hapëse Meksika fitoi 2-0 kundër Afrikës së Jugut. Meksika dhe Korea e Jugut me nga tre pikë mbeten në krye të klasifikimit, ndërsa Çekia dhe Afrika e Jugut kanë nga zero pikë në Grupin A, grup që ka luajtur ndeshjet e para.

Formacionet titullare:

Korea e Jugut (4-5-1): Kim Seunggyu; Lee Hanbeom, Kim Minjae, Lee Taeseok, Seol; Lee Gihyuk, Huang, Paik, Lee Jaesung, Lee Kangin; Son Heungmin Trajner: Myung-Bo Hong

Çekia (5-3-2): Kovar; Hranac, Coufal, Chaloupek, Krejci, Zeleny; Provod, Soucek, Sojka, Schick, Sulc Trajner: Miroslav Koubek

Renditja e Grupit A: