Konflikti nisi në kalçeto / Vrasja e 26-vjeçarit në Kamëz, identifikohet autori i krimit dhe viktima (EMRAT)

TIRANË – Zbardhen detaje të reja dhe tronditëse nga ngjarja e rëndë e regjistruar mesditën e sotme në Kamëz, e cila fillimisht u raportua si plagosje, por që përfundoi në tragjedi. Personi që mbeti i plagosur me armë zjarri dhe që ndërroi jetë pak minuta pasi mbërriti në Spitalin e Traumës është identifikuar si shtetasi Ardian Baloshi, 26 vjeç.

Paralelisht me identifikimin e viktimës, reagimi i shpejtë i forcave të Policisë së Shtetit ka bërë të mundur edhe identifikimin e autorit të dyshuar të këtij krimi të rëndë, i cili është shtetasi Sadik Llanaj.

Sipas informacioneve të para nga grupi hetimor, zanafilla e kësaj ngjarjeje të rëndë dyshohet të ketë qenë një konflikt banal i çastit mes të rinjve, i cili ka nisur fillimisht në ambientet e një fushe kalçetoje dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit.

26-vjeçari Ardian Baloshi u transportua me urgjencë drejt Tiranës, por humbi jetën në duart e mjekëve të Traumës për shkak të plagëve vdekjeprurëse që kishte marrë në trup.

Aktualisht, shërbimet e policisë kanë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha rrugët dalëse të Kamzës dhe po vijojnë krehjen e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit të arratisur, Sadik Llanaj. Hetuesit po punojnë për pyetjen e dëshmitarëve me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës dhe rrethanave të kësaj vrasjeje.