Konflikt me thikë në Pazarin e Korçës, një person mbetet i plagosur

Një konflikt i dhunshëm është regjistruar këtë të premte në Pazarin e Korçës, ku tre persona janë përfshirë në një përplasje fizike, duke lënë një prej tyre të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, në konflikt janë përfshirë dy pronarë lokalesh dhe një person tjetër. Fillimisht, përplasja ka nisur me debate verbale, por situata ka degraduar në dhunë fizike, ku janë përdorur edhe sende të forta si karrige lokali.

Më pas, njëri prej të përfshirëve dyshohet se ka përdorur një mjet prerës, duke plagosur një nga personat e tjerë në konflikt.

I dëmtuari është transportuar menjëherë në Spitalin e Korçës, ku sipas burimeve mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe procedimin e personave të përfshirë në ngjarje.