ITALI- Zbardhen të tjera detaje nga vrasja e Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë në një pus në zonën e Longianos, në Itali. Bashkëshortja e tij ka treguar dhimbjen e madhe pas humbjes së të shoqit, ndërsa hetimet dyshojnë se pas ngjarjes qëndron një konflikt për një borxh të lidhur me drogën.
Mediat e huaja raportojnë se për vrasjen është ndaluar një 29-vjeçar italian, i cili gjatë marrjes në pyetje ka pranuar përgjegjësinë për ngjarjen. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, shuma prej rreth 500 eurosh dyshohet se ishte shkaku i përplasjes mes dy personave, e cila përfundoi në mënyrë tragjike. Mbrëmjen e 8 tetorit, Denaldo Maxhallaku ishte larguar nga banesa e tij në Gatteo, duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal dhe se do të kthehej më vonë.
31-vjeçari, i cili punonte si bojaxhi, la pas bashkëshorten dhe vajzën e tyre vetëm 1-vjeçare. Zhdukja e tij u pasua nga kërkime disa javore, ndërsa automjeti i tij u gjet i djegur një ditë pas largimit nga banesa. Trupi i shqiptarit u zbulua më 28 tetor në një pus në zonën e Felloniche, në Longiano, duke i dhënë një kthesë dramatike hetimeve për zhdukjen e tij. Në mes të dhimbjes për humbjen e parakohshme të bashkëshortit, gruaja e Denaldo Maxhallakut e ka kujtuar atë si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe vajzës së tyre të vogël.
Ajo ka treguar se ai ishte një bashkëshort i pranishëm në jetën familjare, një baba i vëmendshëm dhe një njeri që punonte fort për të siguruar jetesën e familjes. Sakaq, ekspertiza mjekoligjore dhe autopsia pritet të ndihmojnë në përcaktimin e detajeve të vdekjes, ndërsa i dyshuari do të përballet me procedurat përkatëse gjyqësore.
“Ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte shumë vajzën tonë vetëm një vjeçe. Ishte një punëtor i jashtëzakonshëm”, është shprehur ajo.
