Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar ngritjen e një stacioni të ri të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Njësinë Administrative Bradashesh, si dhe shtimin me 10 punonjës operacionalë në organikën e këtij shërbimi.
Sipas vendimit, stacioni do të ndërtohet pranë godinës së njësisë administrative në Bradashesh dhe do të pajiset me automjete zjarrfikëse, pajisje dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e tij.
Në relacionin që shoqëron vendimin thuhet se ngritja e stacionit lidhet me rritjen e numrit të emergjencave, përfshirë zjarret, aksidentet rrugore, përmbytjet dhe incidentet industriale. Gjithashtu, argumenti kryesor për përzgjedhjen e Bradasheshit është pozicioni i tij, që sipas bashkisë mundëson ndërhyrje më të shpejtë në aksin Elbasan–Tiranë, zonat industriale dhe njësitë administrative Bradashesh, Gracen dhe Papër.
Dokumenti thekson se stacioni i ri synon të përmirësojë mbulimin e territorit dhe të shkurtojë kohën e reagimit ndaj emergjencave, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur shtohet rreziku i zjarreve në sipërfaqet pyjore dhe bujqësore.
Aktualisht, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë Elbasan funksionon me një stacion zjarrfikës, gjashtë automjete zjarrfikëse me pompë centrifugale, një autoshkallë, një autobot uji me kapacitet 14 ton dhe 42 punonjës.
Me vendimin e miratuar, organika e shërbimit do të shtohet me 10 punonjës operacionalë, ndërsa stacioni i ri pritet të shërbejë për mbulimin e zonave perëndimore të bashkisë dhe aksit rrugor Elbasan–Tiranë.




