Homazhe për gazetarin Enrik Mehmeti në Vlorë, i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama

Në teatrin “Petro Marko” në Vlorë po zhvillohen homazhet në nderim të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht pasditen e së shtunës në moshën 40-vjeçare.

Familjarë, miq, kolegë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit gazetarit, duke vlerësuar kontributin e tij në median shqiptare dhe profesionalizmin që e karakterizoi gjatë karrierës.

Në homazhe mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e të ndjerit.

Enrik Mehmeti humbi jetën si pasojë e një aksidenti me motor, të ndodhur në plazhin e Porto Novës, në Zvërnec, pasditen e së shtunës. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur komunitetin e gazetarëve dhe opinionin publik.

Ceremonia e homazheve vijon në atmosferë dhimbjeje, ndërsa kolegët dhe miqtë kujtojnë Enrik Mehmetin si një gazetar të përkushtuar, të respektuar dhe një njeri me integritet të lartë profesional.