Helmohen 120 persona nga ndotja e ujit të pijshëm

Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit janë paraqitur gjatë 4 ditëve të fundit në Qendrën Shëndetësore të qytetit, me simptoma helmimi, që dyshohet se iu është shkaktuar nga ndotja e ujit të pijshëm.

Një ditë më parë, banorët denoncuan duke bërë me dije se uji i pijshëm mbante erë të rëndë, ndërsa autoritetet nuk kishin marrë asnjë masë, pavarësisht ankesave të tyre.

Strukturat e Shëndetit Publik dhe ato të Higjienës kanë marrë kampionë të ujit të pijshëm që shkon në rubinetet e qytetarëve, për t’iu nënshtruar analizave laboratorike, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare.

Lidhur me këtë rast që ka shkaktuar helmimin e qindra banorëve ka reaguar edhe Nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Mikel Qafa, i cili thotë se përgjegjësia për ujin i takon Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër. Për nënkryetarin e bashkisë, kjo është rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme të pushtetit për largimin e shërbimeve nga qytetarët, duke u bazuar kështu në propozimin e fundit, që Fushë-Arrëzi të shkrihet me Bashkinë Pukë.

Të gjendur pa zgjidhje institucionale prej ditësh, banorët e Fushë-Arrëzit kanë gjetur si alternativë mbushjen e ujit në kroje.