Gramshi drejt braktisjes nga të rinjtë, Gevio Tabaku: shkak mungesa e investimeve dhe politikat e gabuara

Screenshot

Gramshi, një qytet i vogël në qarkun e Elbasanit me një reliev të thyer dhe bukuri natyrore të veçanta, ofron një klimë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.

Megjithatë mungesa e investimeve në hapësirat rinore dhe mundësitë e pakta për punësim i kanë detyruar të rinjtë të braktisin qytetin.

Të rinjtë në Gramsh përballen me një mungesë të theksuar të aktiviteteve gjithëpërfshirëse.

Terrenet sportive janë të dëmtuara duke mos ofruar hapësira për zhvillimin e aktiviteteve fizike dhe sociale.

Pallati i Kulturës, një nga objektet më të rëndësishme për jetën artistike dhe kulturore të qytetit është lënë në harresë.

Po kështu, Qendra Rinore e qytetit me dritare të dëmtuara dhe lagështi që arrin deri në tavan nuk përmbush kushtet minimale për angazhimin e të rinjve.

Për banorët, Gramshi ofron shumë pak mundësi për të rinjtë, të cilët zgjedhin ta braktisin qytetin me mbarimin e shkollës.
“Po të shumtët kanë ikur, vetëm ata që janë në shkollë kanë mbetur”- u shpreh një banor.

“Këtu çdo gjë ka marrë fund, s’ka shpresë për të rinjtë”- u shpreh një tjetër.

Emigrimi dhe migrimi i brendshëm kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të të rinjve, për shkak të mungesës së mundësive.

Gevio Tabaku, një i ri aktivist nga Gramshi thotë se kjo vjen si pasojë e mungesës së investimeve dhe politikave të gabuara.
“Rrethet e vogla nuk kanë ndonjë mundësi konkrete edhe në Gramsh është kjo problematikë. Trendi migrator është patjetër drejt Tiranës, por edhe jashtë vendit.
Shohim çdo vit sa ulet numri i nxënësve në arsimin parauniversitar. Politikat e gabuara ndoshta, ndoshta do të duhej të bëheshin më tepër investime që të ofroheshin më shumë mundësi dhe një mësim më cilësor.

Andi Cani, Specialist i Rinisë në Bashkinë Gramsh shprehet se me anë të Këshillit Rinor po punohet për aktivizimin e të rinjve.

“Kemi ngritur një Këshill Rinor Vendor, bashkëpunojmë me organizata të ndryshme edhe kemi organizuar trajnime të ndryshme për të rinjtë e qytetit”- tha ai.

Por ndërkohë, një prej ishaktivistëve të Këshillit Rinor Gramsh, shprehet se ky i fundit nuk funksionon si duhet.

“Do të sugjeroja që të kishte një Këshill Rinor funksional sepse gjimnazi ka shumë të rinj, të cilët padyshim po të prezantohen me këtë gjënë, siç ka qenë brezi im. Ne na u prezantua kjo gjë, aktivizmi dhe u bëmë pjesë e Këshillit Rinor”- theksoi Tabaku.

Sipas të dhënave nga Censusi i vitit 2023, Bashkia Gramsh numëron 16,533 banorë ose 7698 më pak krahasuar me të dhënat e vitit 2011.