Tiranë, 19 maj 2025 – Me përfundimin e numërimit të votave të diasporës në tre qarqe – Kukës, Dibër dhe Shkodër – ka nisur të qartësohet gara e brendshme në Partinë Socialiste për sigurimin e mandateve në Kuvend. Megjithatë, në disa qarqe të tjera beteja mbetet e hapur dhe tejet e ngushtë, duke vendosur në lojë fatin politik të disa kandidatëve të njohur.
Në Tiranë, gara më e ashpër zhvillohet mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, me Xhaçkën që aktualisht mban një avantazh. Një tjetër përballje interesante është ajo mes Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë, ku Rakipi kryeson me 447 vota më shumë.
Në Lezhë, Admir Kadeli shpreson që votat e diasporës ta ndihmojnë të përmbysë avantazhin e Marjeta Nelës, e cila mban një diferencë prej 433 votash. Në Korçë, Enslemvera Zake është 476 vota larg Besa Spahos, duke mbajtur gjallë shpresat për një mandat.
Ndërkohë në Vlorë, lufta për mandatin e nëntë të PS-së është shumë e ngushtë, me Vasil Llajon që ka vetëm 54 vota më shumë se rivali i tij Klevis Kasa.
Procesi i numërimit të votave të diasporës vijon në qarqet e mbetura, me këto shifra të zarfave që presin të hapen:
Berat – rreth 8 000 zarfe
Durrës – rreth 4 600 zarfe
Elbasan – rreth 12 000 zarfe
Fier – rreth 9 200 zarfe
Gjirokastër – rreth 5 300 zarfe
Korçë – rreth 14 600 zarfe
Lezhë – rreth 4 200 zarfe
Tiranë – rreth 14 400 zarfe
Vlorë – rreth 10 900 zarfe
Vetëm pas përfundimit të numërimit do të dihen emrat përfundimtarë që do të ulen në legjislaturën e re të Kuvendit.
