FERRARI ELEKTRIK SHITET 40 MILIONË/ “Luce” vendos rekord për një makinë të re në ankand

Ferrari i parë elektrik është shitur për 40 milionë dollarë në një ankand bamirësie në Kaliforni. Modeli “Luce” vendosi rekord për çmimin më të lartë të paguar ndonjëherë për një makinë të re në ankand.

Ferrari ka vendosur një rekord të ri në ankándet e makinave të reja. Modeli i saj i parë elektrik, “Luce”, u shit për 40 milionë dollarë në një ankánd bamirësie në Kaliforni. Shifra është më shumë se 35 herë mbi çmimin e zakonshëm të modelit dhe përbën vlerën më të lartë të paguar ndonjëherë në ankánd për një automjet të ri.

Modeli “Luce”, i projektuar me kontributin e dizajnerit britanik Sir Jony Ive, shënon hyrjen e parë të Ferrarit në tregun e makinave elektrike. Automjeti i shitur në ankándin e RM Sotheby’s ishte një version unik, me elemente të personalizuara, rrota të posaçme, frena të modifikuara dhe një përfundim të veçantë në ngjyrë të bardhë.

Sipas Sotheby’s, të gjitha të ardhurat nga shitja do të shkojnë për programet arsimore të Fondacionit Ferrari. Identiteti i blerësit nuk është bërë publik.

“Luce” u prezantua në maj dhe shkaktoi debate të forta mes admiruesve të markës. Kritikat u përqendruan te kalimi në energji elektrike, dizajni i ndryshëm nga modelet tradicionale dhe fakti që makina ka pesë vende. Mes kritikëve ishin edhe zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini dhe ish-presidenti i Ferrarit, Luca Cordero di Montezemolo.

Pavarësisht reagimeve, Ferrari raportohet se ka përmbushur objektivat e shitjeve për këtë vit, e ndihmuar edhe nga kërkesa e fortë në Kinë.

Rekordi i mëparshëm për një makinë të re në ankánd mbahej nga Ferrari Daytona SP3, i shitur për 26 milionë dollarë në vitin 2025. Ndërsa rekordi absolut për një automjet në ankánd mbetet Mercedes-Benz 300 SLR Uhlenhaut Coupé i vitit 1955, i shitur për 142 milionë dollarë në vitin 2022.