Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka mbledhur strukturat shëndetësore për shkak të situatës epidemiologjike në vend.
Koçiu thotë se strukturat janë të gatshme për monitorimin e situatës në vend, teksa ditët e fundit është raportuar për një rritje të madhe të rasteve me viroza dhe infeksione respiratore.
Ministrja bën thirrje për vaksinim si mundësia më e mirë për parandalimin.
Në Shqipëri mbizotërojnë infeksionet respiratore të sipërme me 14000 raste në javë, kundrejt atyre të poshtme me 5700 raste. Nga java e dytë e janarit numri i infeksioneve është rritur me 2300 raste, apo me 12% më shumë raste brenda një jave.
Mesazhi i Koçiut:
Nisur nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend, u mblodhëm sot me drejtuesit e strukturave shëndetësore, ku u përqendruam në raportimin mbi masat që po zbatohen për të përballuar situatën e gripit dhe për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për të parandaluar komplikacionet nga gripi.
Strukturat shëndetësore janë në gatishmëri duke kryer:
Monitorimin e situatës aktuale të gripit në vend;
Vijimin e vaksinimit falas kundër gripit për grupet e rrezikuara;
Ndërgjegjësimin e qytetarëve për ndjekjen e rekomandimeve për minimizimin e transmetimit dhe parandalimin e virozave të stinës;
Përforcimin e survejancës për infeksionet respiratore në mbrojtje të shëndetit publik.
Parandalimi fillon me një veprim të thjeshtë: vaksinimin. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj!
