E rëndë! Burri qëllon me thikë gruan

53-vjeçarja transportohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar; autori shoqërohet në komisariat, dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda një familjeje në qytetin e Pogradecit, ku një grua ka mbetur e plagosur pasi është goditur me thikë nga bashkëshorti i saj. Ngjarja është regjistruar brenda banesës së çiftit, në lagjen nr. 4 të qytetit liqenor.

Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, fillimisht mes bashkëshortëve ka nisur një konflikt i çastit për motive ende të paqarta, i cili më pas ka degjeneruar në dhunë fizike. Në gjaknxehtësi e sipër, burri ka marrë një mjet prerës (thikë) duke e qëlluar disa herë gruan dhe duke i shkaktuar plagë në trup.

E lënduara është transportuar me urgjencë fillimisht në Spitalin e Pogradecit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se, për shkak të natyrës së plagëve, ajo pritet të niset drejt spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar, ndonëse aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq, reagimi i shërbimeve të Policisë së Pogradecit ka qenë i menjëhershëm, duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar në ambientet e komisariatit. Nga të dhënat e para hetimore, dyshohet se ky shtetas vuan nga probleme të shëndetit mendor. Grupi hetimor ka nisur punën në terren dhe po vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.