Mereme Sela, e cila aplikoi si kandidate në garën për kreun e Partisë Demokratike dhe më pas u skualifikua nga Komisioni Zgjedhor i PD-së, ka reaguar për mediat.
Në reagimin e saj, Sela e ka cilësuar si të papranueshëm dhe të padrejtë skualifikimin nga gara dhe, sipas saj, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë, personi që duhej të skualifikohej do të ishte tjetër.
“Nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me Statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është profesori Berisha”, tha ajo.
Më tej, Sela ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqesë ankesën e saj zyrtare lidhur me skualifikimin nga gara.
“Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me Statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është profesori Berisha.
Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite. Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot”, tha ajo.













