Dinamika e vrasjes në Sarandë/ Biznesmeni tentoi të mbronte klientin? Si nisi konflikti fatal

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Sarandë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili në lokalin e tij pranë zonës së Qafë Gjashtë.
Sipas informacioneve paraprake, një grup të rinjsh kanë mbërritur në lokalin e biznesmenit, pasi kishin konflikt me një banor të fshatit Gjashtë për çështje pronësie.
Në momentin e mbërritjes së tyre, personi me të cilin kishin konflikt ndodhej në verandën e lokalit, në një tavolinë me Rexhep Ismailin dhe tre persona të tjerë. Fillimisht mes palëve ka nisur një debat verbal, i cili më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike me sende të forta.
Burime nga hetimi dyshojnë se autorët nuk kishin si objektiv 66-vjeçarin, por personin tjetër me të cilin ishin në konflikt. Dyshohet se Ismaili ka ndërhyrë për të mbrojtur klientin që ndodhej në lokalin e tij.
Pas përplasjes fizike, biznesmeni është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip kallashnikov, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit të të rinjve. Nga ana tjetër ka pasur kundërpërgjigje me armë tip pistoletë, ndërsa një plumb e ka goditur Ismailin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vendngjarje.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 dhe se konflikti fillimisht nisi me sende të forta, për t’u përshkallëzuar më pas në përdorim armësh zjarri.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi me iniciale L. T. dyshohet se ka qëlluar për vdekje Rexhep Ismailin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë. Dyshohet gjithashtu se gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kontrollet në zonë, si edhe në spitale e klinika private, për identifikimin e personit të plagosur dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.