Deputeti i qarkut të Elbasanit, Olsi Komici, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Përrenjas kundër mundësisë së bashkimit të kësaj bashkie me Librazhdin në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se shqetësimet e banorëve janë legjitime dhe se i ka adresuar ato pranë institucioneve përgjegjëse.
Komici theksoi se ka zhvilluar takime dhe konsultime me banorë, përfaqësues të biznesit, intelektualë, drejtues vendorë, ish-deputetë dhe ish-zyrtarë të zonës, ndërsa bëri të ditur se ka marrë pjesë edhe në mbledhjen e Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, ku, sipas tij, ka përcjellë argumentet dhe qëndrimet e komunitetit të Përrenjasit.
Deputeti sqaroi se deri në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar për hartën e re administrative, duke nënvizuar se procesi vijon të jetë në diskutim dhe se çdo propozim do të vlerësohet mbi bazën e treguesve objektivë, si performanca ekonomike, kapaciteti administrativ, ofrimi i shërbimeve publike dhe qëndrueshmëria financiare.

Në reagimin e tij, Komici kritikoi gjithashtu ata që, sipas tij, po përpiqen të përfitojnë politikisht nga debati, duke theksuar se vendimmarrja nuk duhet të mbështetet në interesa subjektive, por në analiza të plota, transparente dhe në interes të komunitetit.
Në përfundim, deputeti garantoi se do të vijojë të jetë zëri i banorëve të Përrenjasit gjatë gjithë procesit të reformës, duke kërkuar që çdo vendim të sigurojë zhvillim më të mirë, shërbime më cilësore dhe më shumë mundësi për qytetarët e zonës. Ai falënderoi banorët për qytetarinë dhe angazhimin e tyre, ndërsa e cilësoi Përrenjasin si një vend me histori, identitet dhe potencial që meriton një të ardhme të zhvilluar.




