Del fotoja e elektricistit elbasanas që humbi jetën në Himarë, Karakaçi: “Pas çdo drite fshihet sakrifica e dikujt”

Është publikuar fotoja e Bashkim Boçit, elektricistit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) nga Elbasani, i cili humbi jetën gjatë një aksidenti në punë në Himarë, teksa ishte i angazhuar në rikthimin e energjisë elektrike në zonë.

Sipas të dhënave paraprake, 54-vjeçari humbi jetën pasi iu këput rripi i sigurimit gjatë punës në një shtyllë elektrike. Ai ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000, duke shërbyer për më shumë se dy dekada në sektorin e energjisë.

Pas ngjarjes ka reaguar ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, i cili, përmes një mesazhi publik, shprehu ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe kolegët e Bashkim Boçit, duke e cilësuar humbjen e tij një sakrificë të bërë në krye të detyrës.

Në reagimin e tij, ministri vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e elektricistit, duke theksuar se puna e punonjësve të terrenit është shpesh e padukshme, por thelbësore për garantimin e furnizimit me energji elektrike.

“Pas çdo drite fshihet sakrifica e dikujt”, u shpreh Karakaçi, duke nderuar kujtimin e Bashkim Boçit dhe kontributin e tij në shërbim të qytetarëve.