Cilat marka makinash preferojnë shqiptarët?

Numri i mjeteve rrugore në Shqipëri vijon të rritet me ritme të qëndrueshme, duke kaluar shifrën prej 1 milion në tremujorin e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë regjistruar 1.068.251 mjete në qarkullim, një rritje me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka reflekton zgjerimin e flotës automobilistike dhe rritjen e përdorimit të transportit individual në vend.

Struktura e mjeteve mbetet e dominuar nga autoveturat, të cilat përbëjnë 80.7% të totalit, duke konfirmuar varësinë e lartë të qytetarëve nga makinat personale. Motorët zënë 6.2%, ndërsa automjetet për transport të përzier përfaqësojnë 5.8%, duke treguar një diversifikim të moderuar të mjeteve në qarkullim.

Shpërndarja gjeografike vijon të jetë e përqendruar kryesisht në zonat urbane dhe ekonomike. Tirana mban peshën më të madhe me 34.7% të mjeteve në rang vendi, duke reflektuar dendësinë e lartë të popullsisë dhe aktivitetin ekonomik. Durrësi renditet i dyti me 13.6%, ndërsa qarqet si Gjirokastra dhe Kukësi mbeten në fund të listës me përkatësisht 2.1% dhe 2.4% të totalit.

Ndërkohë, tregu i mjeteve të reja vijon të jetë aktiv. Vetëm në tre muajt e parë të vitit janë regjistruar për herë të parë gati mbi 22 mijë mjete, me një rritje prej 8.7% në krahasim me një vit më parë. Edhe në këtë drejtim, Tirana udhëheq bindshëm me 42.3% të regjistrimeve të reja, duke treguar një përqendrim të kërkesës në kryeqytet.

Sa i përket preferencave të konsumatorëve, markat gjermane vijojnë të dominojnë tregun shqiptar. Volkswagen kryeson me 16% të mjeteve të regjistruara për herë të parë, i ndjekur nga Mercedes Benz me 15.2%. Në listën e markave më të preferuara renditen gjithashtu Audi, BYD dhe Hyundai, duke reflektuar një kombinim mes markave tradicionale evropiane dhe alternativave më të reja në treg.