ELBASAN – Një pjesë e aksit rrugor Elbasan–Cërrik do të jetë e bllokuar për disa orë gjatë ditës së sotme, për shkak të punimeve për riparimin e Kanalit “Naum Panxhi”.
Bëhet fjalë për segmentin Mjekës–Kuqan, në Njësinë Administrative Shirgjan, ku kanali pësoi dëmtime disa javë më parë.
Për të shmangur vështirësitë në qarkullim, drejtuesit e mjeteve do të devijohen në aksin alternativ Kanali me Kama–Bugjes–Kuqan.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se janë në mbështetje të Policisë Rrugore dhe Policisë Bashkiake për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e një qarkullimi sa më të rregullt gjatë punimeve.
Drejtuesve të mjeteve u kërkohet të tregojnë kujdes, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë gjatë kohës së bllokimit.





