TIRANË- Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri. Me ndryshimet e miratuara, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46.
Harta e re territoriale pritet të zbatohet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku qytetarët më 9 maj do të votojnë për 46 bashki dhe jo 61. Vendimi është bërë publik përmes dekretit të Begajt, i cili ka shpallur ligjin nr. 100/2026, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Njoftimi i plotë:
Në mbështetje të nenit 84, pika 1, dhe nenit 93 të Kushtetutës,
DEKRETOJ:
Shpalljen e ligjit nr. 100/2026, ‘Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’.”
Me hyrjen në zbatim të hartës së re, Shqipëria do të ketë 15 bashki më pak se në ndarjen aktuale administrativo-territoriale.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 9 tetor, me 85 vota reformën e re administrativo-territoriale, të propozuar nga Partia Socialiste. Ajo parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Reforma sjell riorganizimin e 15 bashkive, të cilat do të bashkohen me njësi të tjera vendore.
Sipas ndarjes së re, Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi Matit dhe Rrogozhina Kavajës. Ndërkohë, Dimal dhe Poliçan do të përfshihen në bashkinë e Beratit, Patosi në Fier dhe Divjaka në Lushnjë. Në jug të vendit, Selenica do t’i bashkohet Vlorës, Maliqi Korçës, Këlcyra Përmetit, Memaliaj Tepelenës dhe Libohova Gjirokastrës.
Kjo ka sjellë reagime dhe kundërshtime nga banorët e zonave të prekura, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me ndryshimet e parashikuara në hartën administrative të vendit. Kundërshtitë janë shoqëruar me protesta, ku qytetarët kanë ngritur shqetësimet e tyre për pasojat që riorganizimi i bashkive mund të ketë në komunitetet ku jetojnë.




