Lezhë, 26 prill 2026
Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja për atentatin e rëndë të ndodhur në Balldre, ku humbën jetën dy persona, burrë dhe grua.
Drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë, Arben Nasufi, bëri me dije se menjëherë pas njoftimit për të shtëna me armë, shërbimet policore kanë mbërritur në vendngjarje.
Sipas tij, automjeti tip “Audi” është qëlluar me breshëri armësh zjarri teksa ishte në lëvizje, duke mos i lënë viktimave asnjë mundësi shpëtimi.
“Në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë ka mbërritur informacion për të shtëna me armë në Balldre. Menjëherë shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Është konstatuar që mjeti është goditur me breshëri armësh në lëvizje. Mjekët kanë konfirmuar dy humbje jetësh, një burrë dhe një grua. Lajmi është shumë i rëndë”, deklaroi Nasufi.
Autoritetet bëjnë me dije se po fiksohet çdo provë nga vendi i ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.













