Artin Kovaçi letër publike Kryeministrit Edi Rama, kërkon ndërhyrje për Pallatin e Sportit dhe Teatrin “Skampa” në Elbasan

27 Prill 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, i është drejtuar me një letër publike Kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar mbështetje konkrete për rikonstruksionin e fasadave të Pallatit të Sportit dhe Teatrit “Skampa”.

Në letrën e tij, Kovaçi thekson se këto dy institucione përfaqësojnë qendra të rëndësishme të jetës kulturore dhe sportive të qytetit, ndërsa gjendja e tyre e jashtme nuk përputhet me nivelin e aktiviteteve që zhvillohen brenda tyre.

Ai nënvizon se, pavarësisht përpjekjeve për përmirësimin e ambienteve të brendshme me ndihmën e Bashkisë dhe sponsorëve, mungesa e fondeve ka lënë pas dore fasadat e objekteve.
Sipas tij, ndërhyrja është urgjente edhe në kuadër të vitit 2027, kur Elbasani do të mbajë titullin “Qyteti Europian i Sportit”, duke theksuar se nuk është e përshtatshme që qyteti të presë aktivitete ndërkombëtare me infrastrukturë të jashtme të amortizuar.

Kovaçi shpreh besimin se kërkesa e tij do të marrë një përgjigje pozitive nga Kryeministri dhe se ndërhyrja do të realizohet në kohë.

Letra drejtuar Kryeministrit Edi Rama

I nderuar Z. Kryeministër,

Ju uroj shëndet dhe suksese në punën tuaj të përditshme.

Po ju drejtohem në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan. E quaj për detyrim moral, personal dhe institucional që t’ju drejtohem ju për një mbështetje jo vetëm qytetare, por konkrete, për të ndryshuar dy objekte kryesore në zemër të Elbasanit që përfaqësojnë kulturën dhe sportin.

Jemi munduar të bëjmë maksimumin e mundshëm në rikonstruksionin e ambienteve të brendshme, me ndihmën e Bashkisë Elbasan dhe të disa sponsorave modestë.
Në pamundësi financiare, të dyja fasadat e Pallatit të Sportit dhe Teatrit “Skampa” lënë shumë për të dëshiruar.

A eshte e mundur qe ne ta ndryshojme kete realitet sa me shpejt te jete e mundur te dy fasadave kryesore, duke pasur parasysh se ndjesia juaj eshte dhe artistike dhe sportive.

Janë dy institucione që mbartin shumë aktivitete kulturore dhe sportive në qytet, dhe fasada e jashtme nuk i përgjigjet aspak produktit sportiv dhe artistik që ato prodhojnë.

Aq më tepër që në vitin 2027 ne marrim titullin “Qyteti Europian i Sportit”, dhe nuk është normale që të mirëpresim aktivitete ndërkombëtare me këto fasada, ku është prezantimi i parë për sportistët dhe artistët, si për Pallatin e Sportit ashtu edhe për Teatrin “Skampa”.

E ndjej dhe besoj fort në përgjigjen tuaj pozitive, dhe kam shumë besim që kjo punë do të realizohet.

Me respekt,
Artin Kovaçi