Arrestohen 9 persona që shisnin drogë pranë shkollave. 3 në kërkim

Finalizohet operacioni policor i koduar “Cleaning 4”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në qytetin e Kavajës.

Në kuadër të operacionit, janë arrestuar 9 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë, të dyshuar si pjesë e një grupi që merrej me shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit në zonat përreth institucioneve arsimore.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Forca Operacionale e DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Sipas policisë, hetimet kanë zgjatur disa muaj dhe janë kryer me metoda speciale, mbi bazën e informacioneve operative, duke bërë të mundur dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të të dyshuarve. Në total, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 9 nga 12 personat e proceduar, të moshës 20 deri në 48 vjeç, të gjithë banues në Kavajë.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni i koduar “Cleaning 4”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.

Arrestohen 9 shtetas, shpallen në kërkim 3. Sekuestrohen lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Forca Operacionale, të DVP Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Cleaning 4”.

Operacioni u finalizua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me një grup shtetasish që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në qytetin e Kavajës.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të shtetasve të përfshirë në këtë rrjet të shitjes së lëndëve narkotike, si dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, për 9 nga 12 shtetasit të cilët akuzohen nga Gjykata, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Konkretisht, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 9 shtetas të moshave 20 – 48 vjeç, të gjithë banues në Kavajë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim 3 shtetasit e tjerë të akuzuar, banues në Kavajë. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave të qytetit të Kavajës.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në doza, si dhe disa celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.