“Anulo projektin”/ Rama i përgjigjet ultimatumit të protestuesve: Për këtë i thirrët njerëzit…Nuk mund të anulohet një projekt sepse nuk ka

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës masive në Tiranë lidhur me projektin e investimit në zonën e Zvërnecit. Me anë të një postimi në rrjetin social “X”, Rama iu përgjigj thirrjes së protestuesve për anulimin e projektiti. Në përgjigje, Rama theksoi se projekti nuk mund të anulohet, pasi ende nuk është bërë gati, por po punohet nga pesë studio ndër më prestigjozet në botë.

Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se investimi lidhet me interesa izraelite, duke i cilësuar këto deklarata si manipulime. Ai tha se investitorët janë partnerë amerikanë dhe kompani nga Katari, përfshirë grupin Power Holding, të cilin e cilësoi si një nga bashkëinvestitorët kryesorë të projektit.

Sipas tij, investimi i vlerësuar prej rreth 4 miliardë euro, përbën një mundësi historike për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Në reagimin e tij, Rama u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e manipulimeve dhe të presin prezantimin zyrtar të projektit, duke theksuar se debati duhet të mbështetet mbi fakte dhe jo mbi pretendime të pabazuara.

Reagimi i Ramës:

Të anulloj projektin? Për këtë i thirrët në protestë njerëzit e mirë që ju erdhën pas edhe sot? Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt? E dini pse nuk ka projekt?

Sepse projekti po punohet nga pesë studio ndër më prestigjozet në botë! Klikoni Kengo Kuma (Japoni) Bjarke Ingels (Danimarkë) Jean Nouvel (Francë) Emre Arolat (Turqi) K-Studio (Greqi) dhe njihuni me autorët e projektit arkitektonik.

Së shpejti, kur projekti të jetë gati, patjetër do ta prezantojmë publikisht, siç bëjmë gjithnjë me projektet e mëdha të arkitektëve ndërkombëtarë, aq më tepër për një investim historik si ky.

Kështu që më vjen keq, po s’kemi projekt për të anulluar. Po me “Izraelin që ka marrë Zvërnecin për ta bërë geto palestineze”, akoma do vazhdoni?

Pra do t’i keqpërdorni akoma ndjenjat e qytetarëve të mirë, pa dallim feje e ideje, që e duan megjithë zemër Shqipërinë dhe natyrën e saj? Ata dalin në rrugë për këtë ndjenjë të prekur nga manipulimet tuaja për gjoja shkatërrimin e natyrës, po kurrësesi jo për të fyer kujtimin legjendar të gjyshërve tanë muslimanë e të krishterë, që i dhanë Shqipërisë vendin e nderit në Luftën e Dytë Botërore, duke i mbrojtur hebrenjtë me jetën e tyre!

Ata duhet ta dinë të vërtetën e bukur, se bashkëinvestitorët e sipërmarrjes më të madhe turistike në Mesdheun e sotëm të Europës, atje në Zvërnec, janë miq të çmuar amerikanë të Shqipërisë dhe miq nga Katari, këta të fundit bashkëpronarët e konglomeratit gjigand Power Holding – pra nga një vend që nuk ka asnjë marrëdhënie me Izraelin, por që ndryshe nga shejtanët trushpëlarë e brutalë që duan të mbrojnë Zvërnecin nga pushtimi i Izraelit, ata janë muslimanë vizionarë e të përulur ndaj Allahut e ndaj punës! Klikoni powerholding.com që ta shikoni se çfarë dëmi po i bëni Shqipërisë, duke u treguar mosmikpritës ndaj një investimi 4 miliardë Euro, i cili do të realizohet prej kompanisë “Assets”, pjesë e Power Holding! Klikoni, klikoni.

Po mirë, si do ta mbani gjallë me të njëjtat gënjeshtra këtë luftën tuaj të stisur me shpifje dhe me manipulime apo mendoni se ata mes jush, që më kanë besuar e votuar mua, do ju besojnë e ndjekin qorrazi deri kur ju të realizoni planin për të cilin jeni paguar, trainuar, orkestruar, madje jo nga një usta, po nga ustallarë të ndryshëm, të cilëve nuk u dhimbset natyra e Zvërnecit, po e duan Shqipërinë tokë të djegur për investimet e mëdha që dallojnë Ligën e Kampionëve me kategoritë e dyta e të treta të destinacioneve turistike?! Madje më keq, e duan në gjunj siç ishin mësuar deri dje, jo në këmbë e me kokën lart siç është, e lëre pastaj me kurorën e princeshës së turizmit mesdhetar… Do shohim, e vërteta vonon po nuk harron dhe gënjeshtrat tuaja kanë nisur që sot t’i nxjerrin këmbët e shkurtëra.