Një 62-vjeçar i identifikuar si Anton Deda është arrestuar në flagrancë nga Policia e Mirditës, në kuadër të operacionit të koduar “Piromani 2”. I dënuar edhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, Deda u kap në fshatin Rraja e Valës pikërisht në momentin kur sapo kishte ndezur një vatër të re zjarri.
Arrestimi i tij erdhi pas një pune gjurmuese 48-orëshe të kryer nga shërbimet e policisë, të cilat përdorën pajisje dron dhe informacione operative për ta mbajtur nën vëzhgim. Nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas ka ndezur gjithsej 6 vatra zjarri gjatë ditëve të fundit, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje prej rreth 15 hektarësh me pyje dhe mjedis pyjor.
Ndaj Anton Dedës janë ngritur akuzat për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Ndërkohë që forcat zjarrfikëse dhe policia vijojnë punën në terren për shuarjen e plotë të flakëve, specialistët e hetimit nën drejtimin e Prokurorisë po verifikojnë nëse 62-vjeçari është i përfshirë edhe në vatrat e tjera të zjarrvënies të regjistruara më parë në territorin e Bashkisë Mirditë.




