Analiza në Elbasanion: Emigrimi, një plagë që vazhdon të lërë pas vetmi dhe krizë zanatesh

Një prej problemeve më të mëdha të periudhës që po kalojnë shqiptarët është emigrimi i rinisë dhe moshës së mesme.

Nga një krahasim i të dhënave të CENSUS 2011 dhe CENSUS 2023 Elbasani ka një rënie të popullsisë me të paktën 60 mijë veta ndërsa arsyet lidhen me lindjet dhe emigracionin.

Elbasanion realizoi një pyetësor për të marrë mendimin e banorëve të qarkut të Elbasanit për situatën, shkakun, pasojat dhe mundësitë e kthimit të emigranteve në vendlindje. Në rreth 100 përgjigje të pyetësorit,  mbi 81 % e tyre ishin familjarë dhe vetëm rreth 19% emigrantë.

Pyetësori ka nxjerrë të dhëna interesante edhe mbi flukset e emigracionit. Kështu 47% e të intervistuarve deklaruan se largimet kanë ndodhur 1-3 vitet e fundit dhe 35% e tyre përcaktuan periudhën e mbi 10 viteve më parë.

Grafiku 1

Të kontaktuar disa prej qytetarëve shprehen se arsyet e largimit janë nga më të ndryshmet por kryesorja  mbetet pamundësia ekonomike. A. S(nuk deshiron te identifikohet), që jeton në Elbasan u shpreh se largimet e familjarëve të tij kanë qenë të  vazhdueshme. “Vëllezërit janë larguar nga pamundësitë ekonomike. Njëri  prej tyre është larguar 6 vitet e fundit ndërsa tjetri ka 22 vite në emigracion. Personalisht të ardhmen e kam menduar këtu për arsye edhe të punës, por jam bërë pishman që s’jam larguar”. Ai thotë se fëmijët e tij i mendon jasht për të vazhduar një shkollë e për të gjetur një punë. “Do jenë më të qetë se këtu, për të mos folur për shërbimet shëndetësore, shkollimin e fëmijëve të tyre si dhe mirëadministrimin e atyre parave që paguajnë, ujë, drita, shëndetësi etj”.

Ndërkohë një zonjë rreth të 50-tave që jeton në zonën urbane të Elbasanit thotë se pamundësia në Shqipëri i ka detyruar të ikin duke e lene vendin pa fuqi punetore  e pa profesione. “Shqipërisë i mungon meritokracia kryesishtë . Te rinjtë sot gjithmonë e më tepër po e gjëjnë veten në udhëkryq domethënë nëse nuk angazhohesh politikisht është pothuajse e pamundur që një individ të gjejë një vend pune, pavarësisht se mund të jetë i mirëshkolluar”.

Ajo thekson se një element i rëndësishëm që duhet të garantohet është siguria. “Të mos ekzistojnë më të fortët, po të ekzistojë shteti me të gjithë potencialin e vet. Kto janë  gjërat kryesore që sipas mendimit tim duhet të ndryshojnë në mënyrë imediate, pasi situata është ulëritëse në këto momente”.

TTë intervistuarit nga nje instrument si ECR ishin kryesish prindër në masën 62 %, 18% vëllezër apo motra dhe 13 % fëmijë dhe 5 % familjarë ose të njohur. Ndërkohë një tjetër e dhënë që bie në sy nga te dhenat është fakti se 50% e të intervistuarve kanë më shumë se 3 familjarë në emigracion ndërsa 25% kanë të paktën një pjestar të familjes në emigracion.

Grafiku 2

Arsyet e emigrimit janë të shumta dhe në përqindjen më të lartë llogaritet mungesa e punës me 32%, pagesat e ulta rreth 27%, mungesa e meritokraciosë me 16% e më pas rënditen mungesa e sigurisë nga 8% të të intervistuarve, shkollimi dhe bashkimi familjar me nga 6.6 përqind te tyre.

Grafiku 3

 

Krizën e emigracionit  po hasin familjet shqiptare dhe sidomos mosha e tretë. Grafiku me poshte  ka edhe të dhënat e ndikimit të emigracionit ku 60% të të intervistuarve janë shprehur se emigracioni ka ndikim negativ ndërsa rreth 27% ndikim pozitiv.

Grafiku 4

Pyetësorit i janë përgjigjur edhe të rinj emigrantë qe lane kontaktet e tyre per ti intervistuar. A. L 35 vjec me banim në Cërrik thotë se ai ndodhet momentalisht në Shqipëri por do largohet. “Vetë jetoj këtu, kam qenë jashtë për disa vite, por jam kthyer për arsye familjare, vëllezërit i kam në emigracion. Janë larguar që në ’95 dhe nuk mendoj që do kthehen më. Ka shumë faktorë, papunësia, pagat e ulëta, korrupsioni, siguria, shkollimi. Duhet të menaxhohet korrupsioni,  të rriten rrogat në mënyrë që të rinjtë të mos largohen, po ta shohin të ardhmen këtu”.

Një emigrant i larguar së fundi shprehet se mundësitë e kthimit janë të paperfillshme. S.B 24 vjeç thotë se ai është larguar së fundi nga vendlindja per shume arsye dhe nuk sheh ndonje drite per kthim. “Unë jam larguar prej një viti nga Shqipëria së bashku me dy shokë të mi. Jam larguar me qëllim punësimin për arsye se në Shqipëri pagat janë të pamjaftueshme dhe profesionet nuk vlerësohen sa duhet.  Shumicën e shoqërisë e kam jashtë vendit dhe përgjithësisht janë larguar 4-5 vitet e fundit. Nuk e shoh te arsyeshme të kthehem, pasi mendoj që Shqipëria nuk ofron kushte të mira për krijimin e një familjeje, për shkollim dhe drejtësi”përfundon ai.

Kriza e profesioneve

Plagën më të madhe të emigracionit po e vuajnë sidomos të moshuarit. Në shumicën e fshatrave por edhe në zona urbane janë të shumtë të moshuarit e vetmuar që kanë vetëm bashkëshortin apo bashkëshorten si mbështetje. Bujqësisë i mungojnë punëtorët ndërkohë që në qytetet ka filluar të ndjehet mungesa e profesionave si infermier,  hidraulik, elektricist, saldator, mobilier dhe shumë zanate të tjera që në fakt shkollat tona po i prodhojnë për vendet e emigrimit masiv si Gjermania, Italia, ShBA, dhe shumë vende që vazhdojnë të tërheqin krahun e kualifikuar të punës.