Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën e „Fushës së Loparit“, ku një këmbësor ka mbetur i plagosur pasi u përplas nga një automjet. Sipas dëshmitarëve dhe të dhënave të para, ngjarja ka ndodhur në momentin kur këmbësori po tentonte të kalonte anën tjetër të rrugës duke shfrytëzuar vijat e bardha.
Në pamjet e siguruara nga vendngjarja, i dëmtuari shihej i shtrirë në asfalt, ndërsa dhjetëra qytetarë të rastësishëm i kanë rrethuar menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore, të shfaqur mjaft të shqetësuar për gjendjen e tij shëndetësore.
Këmbësori u transportua me urgjencë drejt spitalit nga ambulanca, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi shkallën e lëndimeve apo gjendjen e tij aktuale. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forcat e policisë, të cilat kryen veprimet procedurale dhe nisën hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit dhe përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit.





