Aksident i trefishtë në aksin Sarandë–Ksamil, plagosen dy turistë spanjollë

Një aksident i trefishtë automobilistik është regjistruar mesditën e kësaj të enjteje në aksin rrugor Sarandë–Ksamil, pranë zonës së njohur si Manastiri. Në përplasje u përfshinë tre automjete, ndërsa si pasojë mbetën të plagosur dy turistë spanjollë.

Sipas të dhënave paraprake, të lënduarit janë identifikuar si Jove Pibrall Jove, 24 vjeç, dhe Catia Picac, 37 vjeçe, të cilët ndodheshin në Sarandë për pushime.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës dhe efektivët e policisë, të cilët transportuan të plagosurit për ndihmë mjekësore dhe punuan për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.

Sipas burimeve mjekësore, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime në pjesën e mesit dhe, për shkak të gjendjes së tij, është transportuar drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Ndërkohë, 37-vjeçarja ka marrë dëmtime në kokë dhe po trajtohet në Spitalin e Sarandës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Nga përplasja janë shkaktuar edhe dëme materiale në automjetet e përfshira.