ZVICER – Të martën, 17 mars, do të përcaktohen katër skuadrat e para që kualifikohen në fazën çerekfinale të Ligës së Kampioneve, ku tre prej të cilave do të luhen si zakonisht duke filluan nga ora 21:00.
Duelet e kthimit në fazën e 1/8-ve, premtojnë spektakël. Padyshim, interes më të madh tërheq ndeshja Manchester City – Real Madrid.
Spanjolët kanë fituar takimin e parë në Madrid me rezultatin 3-0 dhe kanë hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Megjithatë, te Man.City nuk janë dorëzuar dhe besojnë te përmbysja e madhe, sidomos me mbështetjen e tifozëve.
Përballje spektakolare pritet të jete edhe Chelsea – PSG. Francezët fituan 5-2 në ndeshjen e parë, por anglezët do të provojnë të përmbysin rezultatin, ndonëse duket një mision shumë i vështirë.
Ndeshje delicate do të jetë edhe për Arsenalin, që pret në shtëpi Bayer Leverkusen. Ndeshja e parë në Gjermani, u mbyll në barazim 1-1, me londinezët që shmangën humbjen vetëm në minutat e fundit me një penallti të kontestuar.
Ndeshja tjetër është ajo mes Sporting Lisbona dhe Bodo Glimt, e cila do të startojë në orën 18:45. Në takimin e parë, norvegjezët triumfuan 3-0.













