Një shembull qytetarie është regjistruar ditën e djeshme në Ksamil, ku një qytetar ka gjetur dhe ka dorëzuar një çantë të humbur me dokumente personale dhe një shumë të konsiderueshme parash, plot 17 mijë dollarë, duke u bërë shembull i vlerave qytetare.
Menjëherë pas gjetjes, ai është paraqitur në Komisariatin e Policisë Sarandë për ta dorëzuar çantën. Brenda saj ndodheshin dokumentet personale të një shtetaseje ukrainase, së cilës sot iu kthyen të gjitha sendet dhe shuma e parave.
Policia e Sarandës reagoi duke bërë të mundur identifikimin dhe kontaktimin e pronares së çantës.
Policia e Shtetit ka falënderuar publikisht shtetasin R. Sh. për veprimin e tij, duke e cilësuar si një gjest që meriton të promovohet dhe të ndiqet nga të gjithë.













