Lufta në Iran/ Sulme paralele në Teheran e Bejrut, goditet ambasada amerikane në Riyadh! Trump: Do të përgjigjemi!

Ushtria izraelite ka nisur sulme të reja në agim ndaj Teheranit dhe Bejrutit dhe ka lëshuar paralajmërime për evakuim për disa rajone të Libanit jugor.

Ambasada e SHBA-ve në Riyadh është goditur nga dy dronë, dhe mediat shtetërore iraniane thonë se një ndërtesë komande dhe stafi në një bazë ajrore amerikane në Bahrein është shkatërruar.

Trump tha për NewsNation se SHBA-të do të kundërpërgjigjen “së shpejti” për sulmin ndaj ambasadës dhe për vdekjen e ushtarakëve amerikanë. Gjashtë ushtarë janë vrarë deri më tani, ndërsa 18 janë plagosur.

Presidenti Donald Trump ka përdorur gjithashtu platformën Truth Social për të komentuar mbi rezervat amerikane të municioneve të “nivelit mesatar dhe mesatar të lartë”, duke shtuar se luftërat “mund të vazhdojmë ‘përgjithmonë’… duke përdorur vetëm këto furnizime”.

“Kemi një furnizim pothuajse të pakufizuar me këto armë. Shtetet e Bashkuara janë të pajisura dhe gati për të fituar, shumë!!!” shkroi Trump. Ai nuk kurseu as ish-presidentin Biden duke thënë se i ka dhënë Ukrainës “shumë prej armëve super të avancuara” të SHBA-ve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thotë se “goditjet më të rënda” ndaj Iranit “s’kanë ndodhur ende”, duke shtuar se nuk do të “zbulojë detaje të përpjekjeve tona taktike”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbrojtur sulmet ushtarake izraelite ndaj Iranit, duke pretenduar se zgjerimi i fundit bërthamor i Teheranit do të ishte bërë “i paprekshëm brenda disa muajsh” para ndërhyrjes së Izraelit. “Nëse nuk do të ndërmerrej veprim tani, nuk do të mund të ndërmerrej asnjë veprim në të ardhmen”, tha ai.

Pallati historik Golestan në Teheran, i cili është i listuar si Vend i Trashëgimisë Botërore nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), është dëmtuar pas sulmeve amerikano-izraelite. UNESCO ka shprehur shqetësim për mbrojtjen e vendeve të trashëgimisë

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë gjithashtu se kanë vënë në shënjestër kompleksin e televizionit shtetëror iranian.

“Ushtria izraelite shënjestroi kompleksin e IRIB-it të Republikës Islamike, zemra e makinerisë së gënjeshtrave dhe shtypjes së IRGC-së,” thuhet në një postim në llogarinë e IDF në X.

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve u ka bërë thirrje amerikanëve në Lindjen e Mesme që të largohen menjëherë. Konkretisht bëhet fjalë për amerikanët që jetojnë në Bahrein, Egjipt, Iran, Irak, Izrael, Bregun Perëndimor, Gaza, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.

Kjo vjen pasi Donald Trump tha se mori vendimin për të nisur luftë kundër vendit sepse ishte “mundësia e fundit dhe më e mirë” për të ndalur regjimin e tij.

SHBA-të dhe Izraeli goditën Iranin të shtunën, duke vrarë Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Ushtria izraelite ka nisur që atëherë sulme të reja ndaj Teheranit.

Izraeli ka ndërmarrë gjithashtu disa sulme ndaj asaj që tha se ishin objektiva të Hezbollahut në Liban, duke paralajmëruar se operacionet ushtarake nuk do të përfundojnë derisa kërcënimi të “eliminohet” plotësisht.

Sipas burimeve zyrtare në Liban, sulmet izraelite kanë vrarë 52 persona, ndërsa qindra banorë të Bejrutit janë detyruar të evakuohen në streha si pasojë e bombardimeve.