Prej orës 10:00 të paradites së kësaj të hëne në Këshillin e Mandateve diskutohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, tashmë e pezulluar nga detyra.
Në vijim të pyetjeve të bëra nga Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, arrihet në konkluzionin se Prokuroria konfirmon se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun.
Po sipas Bardhit, që i referohet prokurorëve, gjendja procedurale e Ballukut është rënduar dhe ajo ka rrezik të prish provat dhe të kryejë krime të tjera.
“Gjithashtu, konfirmoi se në datë 20 Nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë.
Po ashtu, prokuroria informoi se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave.
Sipas prokurorisë Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria.
Hetimi nuk ka sfond politik.
Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e Balluku, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji”, thuhet në konkluzionet e nxjerra nga Bardhi pas pyetjeve të ngritura prej tij në Këshillin e Mandateve.













